Fuqizimi i zërit të aktorëve social dhe sindikatave shqiptare në Bruksel
Në datat 14–16 tetor, një delegacion i përbërë nga përfaqësues nga Qendra per te Drejtat ne Pune (Centre for Labour Rights CLR), ABF Västerås, sindikalistë dhe aktivistë politikë nga Shqipëria zhvilluan një vizitë studimore në Bruksel, ku vizituan institucionet kryesore të Bashkimit Europian dhe organizata të rëndësishme si DG Employment, FEPS, SOLIDAR, EZA, IndustriAll Europe dhe EPSU.
Kjo vizitë u realizua në kuadër të projektit “Smart Trade Unions in Albania”, me mbështetjen e Swedish Institute, dhe kishte për qëllim forcimin e përfshirjes së aktorëve social dhe sindikatave shqiptare në procesin e integrimit europian të vendit.
Gjatë vizitës u prezantua edhe dokumenti politik “Enhancing Union Inclusion in Albania’s EU Integration Processes”, i cili synon të theksojë rolin më të fuqishëm të sindikatave jo vetëm në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, por edhe në procesin strategjik të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ky takim shënoi vetëm hapin e parë të një dialogu të ri kombëtar dhe ndërkombëtar për drejtësi sociale dhe të drejta të punëtorëve, një iniciativë që CLR e ka nisur me përkushtim dhe vizion për një Shqipëri më të përfshirë dhe të fuqishme në arenën europiane.
