Forum Diskutimi “Punë e Denjë për Punonjësit e OShC-ve”
Rrjeti i Profesionistëve të Rinj (YPN), së bashku me Qendrën për të Drejtat në Punë (CLR) dhe me mbështetjen e Olof Palme International Center, zhvilloi dje Forumin e Diskutimit “Punë e Denjë për Punonjësit e OShC-ve”. Diskutimet u fokusuan në sfidat kryesore të punësimit në sektorin e shoqërisë civile, nevojën për garantimin e punës së denjë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për përmirësimin e kushteve të punës. Në fjalën hapëse u theksua rëndësia e adresimit të kësaj çështjeje si një element kyç për qëndrueshmërinë dhe profesionalizimin e sektorit të shoqërisë civile.
Gjatë prezantimit të dokumentit të politikave, ekspertja Inva Çela ndau arsyet pse kjo çështje është urgjente, si dhe gjetjet kryesore të nxjerra nga të dhënat e mbledhura, ndërsa Edison Hoxha nga CLR prezantoi rekomandimet e dokumentit të politikave drejtuar qeverisë, donatorëve dhe vetë shoqërisë civile. Paneli i Diskutimit “Kushtet e Punës në Sektorin e Shoqërisë Civile në Shqipëri” solli së bashku përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile dhe organizata të shoqërisë
civile.
Paneli krijoi një hapësirë të hapur dialogu mes institucioneve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ku u ndanë perspektiva të ndryshme mbi sfidat aktuale të punësimit në sektor, rolin e institucioneve në garantimin e të drejtave të punës dhe nevojën për politika më mbështetëse e praktika më të drejta. Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, dialogut të vazhdueshëm me shoqërinë civile dhe ndërtimit të mekanizmave që garantojnë kushte pune të denja. Ky forum shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të dialogut e advokimit për politika dhe praktika që garantojnë punë të denjë e të qëndrueshme për punonjësit e shoqërisë civile.

