Dialog drejt bashkëpunimit/ “Sindikatat dhe Partitë Politike, sfidat dhe mundësitë”
Në kuadër të projektit “Sindikatat dhe Partitë Politike: Sfidat dhe Mundësitë”, përfaqësues nga Shqipëria morën pjesë në Forumin “Organizatat Politike Progresiste dhe Sindikatat, Dialog drejt Bashkëpunimit”, organizuar nga Centre for Modern Skills në Beograd. Ky forum mblodhi së bashku aktorë politikë progresistë, përfaqësues sindikatash dhe organizata partnere nga rajoni, me synimin për të ndërtuar një platformë të qëndrueshme dialogu dhe bashkëpunimi.
Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar shënoi një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të forcuar ndërveprimin ndërmjet sindikatave dhe forcave politike progresiste, duke vendosur në qendër të diskutimit mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe garantimin e punës së denjë. Përmes takimeve dypalëshe dhe sesioneve të përbashkëta, u shkëmbyen eksperienca konkrete, modele organizimi dhe praktika të mira që kanë rezultuar efektive në adresimin e sfidave të tregut të punës në vendet e rajonit.
Për herë të parë, përfaqësuesit nga Shqipëria hapën diskutimin mbi nevojën për institucionalizimin e dialogut të rregullt midis sindikatave dhe partive politike progresiste, duke synuar krijimin e urave të qëndrueshme komunikimi dhe bashkëpunimi. Ky proces synon jo vetëm rritjen e ndikimit të sindikatave në hartimin e politikave publike, por edhe fuqizimin e rolit të tyre si aktorë kyç në mbrojtjen e interesave të punëtorëve.
Një dialog i strukturuar dhe i vazhdueshëm do t’i shërbente gjithashtu vetë politikës, duke e ndihmuar të kuptojë më mirë realitetin e përditshëm të punëtorëve, sfidat me të cilat ata përballen dhe nevojën për politika që adresojnë padrejtësitë, pasigurinë në punë dhe format e ndryshme të shfrytëzimit. Në këtë mënyrë, bashkëpunimi ndërmjet sindikatave dhe forcave progresiste mund të kontribuojë në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për zhvillim social dhe ekonomik të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Forumi shërbeu si një hap konkret drejt konsolidimit të një rrjeti rajonal bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor, duke forcuar solidaritetin ndërmjet organizatave dhe duke rritur kapacitetin e tyre për të ndikuar në proceset vendimmarrëse në nivel kombëtar dhe rajonal.
