CLRDS mbështet nismën globale për dialog social dhe zhvillim gjithëpërfshirës

Qendra për Marrëdhëniet e Punës dhe Dialogun Social (CLRSD) mbështet nismën globale për promovimin e dialogut social me synim konsolidimin e praktikave të punës së denjë dhe zhvillimit gjithëpërfshirës. Axhenda për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, miratuar nga Kombet e Bashkuara, përfshin objektivat për promovimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës.
Dialogu social parashikon përfshirjen e të gjitha formave të negociatave, konsultimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes përfaqësuesve të qeverive, punëdhënësve dhe punëmarrësve mbi çështje me interes të përbashkët e që kanë të bëjnë me politikat ekonomiko-sociale.
“Ne angazhohemi për të ndërmarrë veprime që promovojnë dialogun social në tregjet e punës si një mënyrë për të garantuar punën e denjë dhe përmirësuar cilësinë e vendeve të ofruara për punëmarrësit”, nënvizohet në deklaratë.
Përsa i takon shteteve, Marrëveshja Globale nënkupton miratimin dhe zbatimin e masave që shkojnë në respekt të konventave themelore të ILO-s duke e identifikuar dialogun social si pjesë të qeverisjes demokratike.
Përsa i takon punëdhënësve kjo nënkupton respektimin e këtyre të drejtave në praktikë, veprimin me përgjegjshmëri sociale dhe gatishmërinë për të negociuar marrëveshje në nivel lokal, kombëtar apo rajonal.