Aksidentet në punë, CLR.AL: Të shtohen kontrollet për zbatimin e rregullave të Sigurisë dhe Shëndetit
Aksidentet në punë, CLR.AL: Të shtohen kontrollet për zbatimin e rregullave të Sigurisë dhe Shëndetit
Kujtim Allaraj dilte pa zbardhur dita nga shtëpija e tij në Paskuqan, që të arrinte në kohë në kantierin e ndërtimit në qendër të Tiranës.
Atë të premte ishte hera e fundit që i pa vogëlushët, sepse nuk u kthye më kurrë në shtëpi, pasi humbi jetën nga një aksident fatal në punë.
38-vjeçari gjeti vdekjen pasi ra nga kati i katërt teksa ishte duke punuar për të siguruar jetesëen pëer familjen e tij.
Tashmë bashkëshortja e tij, duhet të kujdeset e vetme për tre fëmijët e mitur.
Kujtim Allaraj nuk është viktima e vetme që ka humbur jetën gjatë këtij vitit në punë.
STATISTIKAT
Nëse do tu referohemi periudhave respektive për dy vitet e mëparshme, kemi pothuajse një trefishim të rasteve pasi në 2016 dhe në 2017, pasi për periudhën janar-qershor janë shënuar 6 raste vdekjeje në punë, ndërsa për të njejtën përiudhë të vitit 2018 janë 11 raste vdekjeje në punë më shumë.
Raporti zyrtar për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, tregon qartë se shifra e aksidenteve të rënda në punë mbetet e lartë.
“Sipas të dhënave të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, për 6-mujorin eparë të 2018-ës,17 persona kanë humbur jetën, ndërsa aktidente në punë janë shënuar 113 në të gjithë vendin.
“Gjatë dy viteve të fundit numri i vdekjeve në punë, por edhe i aksidenteve ka ardhur në rritje, pasi nga 12 të vdekur në 2016, në vitin 2017 rezultojnë se kanë humbur jetën 18 persona.
Numri më i madh i punëmarrësve të aksidentuar rezulton në aktivitete prodhuese, minerare, ndërtim dhe në aktivitete të tjera.
Më konkretisht: 28.3% e totalit të punëmarrësve të aksidentuar janë në aktivitete prodhuese. 24.8% e totalit të punëmarrësve të aksidentuar janë në aktivitete minerare.
Ndërsa 20.4% e totalit të punëmarrësve të aksidentuar janë në aktivitete të tjera.
Punëmarrës të aksidentuar me vdekje janë 6 në sektorin minerar, 3 në sektorin elektricitet, gaz,uji, 3 në sektorin e ndërtimit”, thuhet në raportin zyrtar të Inspektoriatit Shtetëror të Punës .
Sektori minerar vijon të mbetet i pari që shënon numrin më të lartë të aksidenteve me pasojë vdekjen në vendin e punës.
Në pesë vitet e fundit në minierën e Bulqizës kanë gjetur vdekjen nga aksidentet në punë 42 minatorë.
Viktima e fundit në minierën e Bulqizës, për të cilin ende nuk janë prononcuar zyrtarisht institucionet, është Artur Mjeshtri.
Sipas mediave, Artur Mjeshtri ishte duke punuar në një nga minierat e Bulqizës, por i pasiguruar nga kompania që e shfrytëzon.
Tre javë pasi qëndroi në spital, minatori 31-vjeçar në Bulqizë ka humbur jetën.
Në peridhën dhjetor 2017- qershor 2018 në minierë kanë gjetur vdekjen 6 persona, mes të cilëve edhe një 20-vjeçar, Eduard Dema.
ROLI KONTROLLUES I SHTETIT DHE MEKANIZMAVE PERKATES TE NGARKUAR ME LIGJ
MINIERA
Qeveria ka vendosur të riformatojë mënyrën sesi mbikqyret sektori minerar lidhur me emergjencat apo rastet e aksidenteve.
Nëpërmjet një vendimi të miratuar më prill të këtij viti, Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave shkrihet duke krijuar një strukturë të re.
Sipas vendimit, kompetenca për sigurinë dhe emergjencat i ka një institucion i ri, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera(AKSEM), një institucion në varësi direkte të Ministrisë për Infrastrukturën dhe Energjinë.
Drejtori i këtij institucioni Rrapush Tola thotë se disa nga shkaqet e aksidenteve në miniera lidhen me mungesën e kualifikimit të punëtorëve që punësohen nga subjektet që operojnë në zonat minerare.
“Mbyllja e shkollave profesionale të profilit minerar ka sjellë mungesën e punonjësve të kualifikuar në këtë sektor.
Së treti, specialistët e vjetër të nëntokës për efekt moshe kanë dalë në pension kjo e veshtirëson akoma më shumë problemin me punonjësit e kualifikuar”, thotë kreu i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM, Rrapush Tola.
Vetëm për vitin 2017, ky institucion kreu 864 inspektime në miniera për të verifikuar zbatimin e ligjit për sa I takon sigurisë dhe kushteve teknike në punë.
Po gjatë këtij viti u morën 43 masa administrative, mes të cilave
17 ndalime pune (13 ndalime pune të pjesshme dhe 4 ndalime pune të plota), 19 paralajmërime dhe 7 gjoba.
Ndërsa për gjatë 5 mujorit të parë të 2018, u realizuan 131 inspektime për të cilat u morën dhe masa administrative;
6 paralajmërime; 9 gjoba; 4 procedime penale; 1 ndalim pune të përkohshëm për gjithë veprimtarinë dge 7 ndalime pune të pjesshme të përkohëshme.
Për kreun e AKSEM, numri i aksidenteve në miniera do të reduktohjet nëse punohet për kualifikimin e punonjësve.
“Për këtë arsye është propozuar hapja dhe funksionimi i shkollës profesionale në Bulqizë e cila përgatit specialist për nëntokën.
AKSEM i ka propozuar ministrisë hapjen e kurseve profesionale dhe në qendra të tjera minerare si Batra, Krasta, Klosi, Tropoja, etj.
Funksionimi i tyre do të jetë në bashkëpunim të ngushtë me stafin teknik të subjekteve minerare”, thotë drejtori i AKSEM.
NDËRTIMI
Një tjetër sektor me shumë rrisk përsa i takon aksidenteve në punë është ai i ndërtimit.
Ndonëse vitet e fundit, është ulur ndjeshëm numri i viktimave, në raportin e fundit të Inspektoriatit të Punës, thuhet se gjatë pjesës së parë të 2018, 3 punonjës të sektorit të ndërtimit humbën jetën në vendin e punës.
Një nga shkaqet e aksidenteve sipas ekspertëve është mungesa e kualifikimit të punonjësve.
Kreu i shoqatës së ndërtuesve Maks Muci thotë për CLR.AL se është detyrë e cdo firme apo kompani ndërtimi të garantojë sigurinë teknike në punë, sipas ligjit, duke instruktuar cdo punonjës që hyn në kantierin e ndërtimit.
“Shpesh herë aksidentet me pasojë vdekjen kanë si shkak të dyja palët, dhe punëdhënësin dhe viktimën.
Nga njëra anë ka pasur raste që subjektet nuk kanë respektuar ligjin për sigurinë teknike, duke garantuar kushte teknike për punonjësit.
Nga ana tjetër kemi dhe raste kur këto aksidente kanë qenë si pasojë e pakujdesisë së vetë punonjësit.
Për të shmangur këto fatkeqësi, duhet që me cdo kusht, strukturat e shtetit të kryejnë kontrolle rigoroze në kantieret e ndërtimit për të parë nga afër gjendjen teknike të punës, të verifikojë dokumentacionet, nëse punonjësit janë të kualifikuar”, thotë kreu i shoqatës së ndërtuesve.
ROLI I SINDIKATAVE
Për sindikatën e ndërtimit, kontrolli i inspektoriatit të Punës lë ende për të dëshiruar.
Sipas kreut të sindikatës së ndërtimit, Kujtim Myrtaj, I takon këtij institucioni të verifikojë zbatueshmërinë e ligjit për sigurinë e shëndetin në punë.
Në bisedë me Qendrën për të Drejtat në Punë, CLR.AL, kreu i sindikalistëve në sektorin e ndërtimit thotë se problem mbetet organizimi sindikal në këtë sektor, cka do të rregullonte më së miri marrëdhëniet punëmarrës-punëdhënës.
“Vetëm 15 përqind e punonjësve të sektorit të ndërtimit janë të anëtarësuar në sindikatë.
Ky përfaqësim i vogël ka bërë që jo të gjitha problematikat e sektorit të dalin në pah.
Sindikata jonë funksionon prej vitit 1991 por duhet thënë se pas 27 vitesh informaliteti dhe siguria teknike mbeten dy prej cështjeve ku kontrolli i inspektoriatit të Punës duhet të fokusohet më shumë”, thotë kreu i sindikatës së ndërtimit, Kujtim Myrtaj.
PERFUNDIME
Ndërsa të gjithë ngrenë shqetësime të përbashkëta dhe njëzëri kërkojnë që strukturat përgjegjëse të përmbushin detyrimet e tyre institucionale në zbatim të ligjit dhe qëllimit pse janë krijuar dhe funksionojnë dhe, familjet e viktimave enden dyerve të gjykatave për përfitimin e dëmshpërblimit, në rastet kur i ndjeri ishte i siguruar.
Të tjerë që varfëria i detyroi të punojnë në të zezë, bashkë me hijen e rëndë të vdekjes do të duhet të përballojnë pa asnjë mbështetje vetë gjithçka, rritjen e fëmijëve jetimë dhe peshën e rëndë të jetës me një krah pune, me raste të vetmin, më pak.
A duhet kërkuar për fajtorë? A ka të tillë? Sigurisht, ka, por faji, ai, mbetet gjithnjë jetim. Ndërkohë që sistemi shqiptar i drejtësisë sociale, i shpikur në Evropë qysh në fillimet e shekullit të 19-të për të krijuar shoqëri me shanse të barabarta për qytetarët dhe grupet shoqërore, duke ekuilibruar mundësitë me të drejtat, duket se sapo ka filluar të ndërmendet për të funksionuar dhe krijuar mbrojtjen e nevojshme në botën e punës. Deri më tani, të paturit e një pune në shumicën e rasteve ka nënkuptuar të paturit e një rroge për të siguruar të ardhurat familjare bazë, rrogë për të cilën secili prej njerëzve që institucionet përgjegjëse i kanë shndërruar në statistika të ftohta numerike, la jetën. Askush nuk u tregoi, as iu garantoi të drejtat që duhet t’iu siguroheshin me ligj në punë, ku sigurimi i shëndetit dhe jetës duhej medoemos të prevalonte. Por të gjallëve të mbetur, për fat të mirë ende të panumëruar, dikush duhet të fillojë t’u tregojë!