Akademia e Punës, përmbyllet me sukses trajnimi 2 ditor i sindikalistëve të rinj
Është zhvilluar në datat 10-11 Nëntor trajnimi i radhës në Akademinë e Punës, me pjesëmarrjen e 15 sindikalistëve të rinj dhe aktivistë nga bota e punës.
Në trajnim merrnin pjesë dhe përfaqësues nga organizata të huaja, partnere të CLR.
Trajnerja e Akademisë së Punës, Ermira Mitrushi u ka shpjeguar kursantëve të rinj konceptet që kanë të bëjnë me temën e marrëdhënieve të punës.
“Të ndërtojmë një urë”, arsyet e bashkëveprimit mes trinomit punëmarrës-punëdhënës-shtet”, ishte leksioni i parë me të cilën trajnerja Ermira Mitrushi është prezantuar para 15 të rinjve pjesëmarrës të Akademisë së Punës.
Me një përvojë pune të gjatë si lektore dhe trajnere, njohëse shumë e mirë e sindikalizmit në Shqipëri, zonja Mitrushi ka përcjellë tek të rinjtë mesazhin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si një hap kryesor për të adresuar problematikat që shqetësojnë sot sindikatat.
Sipas saj, është e rëndësishme të konceptohet sindikalizmi si një lëvizje për të gjithë punëtorët, që kërkon pjesëmarrje të barabartë të burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave në të gjitha nismat sindikalë.
Lektorja Mitrushi u ka shpjeguar sindikalistëve të rinj modelin social evropian të sindikatës.
“Një sindikatë e fortë mbështetet në dy shtylla : Tek fuqia e anëtarësisë dhe tek kompetenca e organizatës”, ka shpjeguar znj. Mitrushi.
Gjatë trajnimit, iu mëshua me forcë idesë se aksioni sindikal buron si nevojë nga e drejta sindikale, parimet e sindikalizmit, shpirti luftarak i sindikatës dhe nevoja për ndryshim.
Sindikalistët e rinj mësuan gjatë ditëve të trajnimit në Akademinë e Punës, për format e aksionit sindikal të cilat mund të jenë të larmishme, nisur nga kërkesat e tyre:
- Peticion
- Sensibilizim për cështje me interes në fushën e punës
- Manifestim në solidaritet me një kauzë , apo organizatë tjetër
- Ndërprerje të përkohshme të punës, në një sektor apo më gjerë
- Grevë ( me afat , apo pa afat )
Negociimi, aftësitë negociuese si çelës i suksesit të zgjidhjes së konflikteve mes palëve, ishte një tjetër koncept mjaft i rëndësishëm në jetën e një sindikalisti i cili u shpjegua nga lektori, Trenton Elsley, përfaqësues i organizatës partnere të CLR, Labour Research Servives nga Afrika e Jugut.
Leksioni i shpjeguar nga z.Elsley ishte menduar në formën e një pyetsori mes tij dhe të rinjve, ku secili nga kursantët ka hedhur në letër një pyetje rreth temës dhe më pas e ka përcjellë tek njëri-tjetri.
Përmes pyetjeve të rinjtë morën përgjigjet e duhura për rrugët drejt një procesi negociimi të suksesshëm, kriteret e një negociatori dhe format e duhura për realizimin e qëllimit që përmban në thelb negociata.
Lektori nga Afrika e Jugut solli përvojën e organizatës ku ai aderon dhe theksoi se negociatorët e suksesshëm janë të sigurt dhe sfidues.
“Ata e dinë se çdo gjë është e negociueshme. Madje e quajnë këtë “vetëdije të negociatave”, ka theksuar para kursantëve z.Elsey.
Më pas ai ka shpjeguar gjatë leksionit të tij ndryshimin midis të qënit të sigurt dhe të qënit agresivë.
“Nuk duhet të largoni fokusin nga personat e tretë me të cilët do të arrini një marrëveshje. Të qëndroni të sigurt, është pjesë e ndërgjegjies së negociatave”, ka këshilluar sindikalistët e rinj aktivisti për të drejtat e punës në Afrikën e Jugut, Trenton Elsley.
Mos kini frikë të kërkoni për atë që ju takon”!, ishte mesazhi i tij.
Në ditën e dytë të trajnimit në Akademinë e Punës, referoi eksperti ligjor i Qendrës për të drejtat në Punë, CLR, Edison Hoxha i cili u shpjegoi të rinjve pjesëmarrës bazën ligjore të zgjidhshmërisë së konflikteve në marrëdhëniet e punës, përmes procesit të Pajtimit dhe Ndërmjetësimit.
“Që një grevë të konsiderohet e ligjshme, duhet që sindikata ose sindikatat, nga njëra anë, dhe organizata ose
organizatat e punëdhënësve, nga ana tjetër, të jenë përpjekur paraprakisht të bien dakord, nëpërmjet procedurës së
ndërmjetësimit dhe pajtimit”, nënvizoi në shpjegimin e tij eksperti Hoxha.
Eksperti i CLR, theksoi gjatë fjalës së tij në trajnim se Ndërmjetësi dhe Kryetari i Zyrës së Pajtimit duhet të njohin mirë Kodin e Punës dhe aktet nënligjore në fuqi të cilat rregullojnë marrëdhëniet e punës.
Ata duhet të mos kenë kene konflikt interesi me palët në konflikt.
- Të vendosin dhe të ruajnë marrëdhënie të bashkëpunimit, të mirëkuptimit dhe të mirebësimit me sindikatat, organizatat e punëdhënësve dhe me vetë palet ne konflikt.
- Të përpiqen të njohin mirë situaten e marrëdhënieve midis punëdhënësve dhe punëmarrësve, të njohin problematikën e sektorëve apo edhe të ndërmarrjeve të veçanta, sidomos ato numër të konsiderueshëm punëmarresish ose ato me rrezikshmëri të lartë në sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve.
- Të bëhet sa më i besueshëm lidhur me paanësinë dhe aftësitë e tij për partnerët socialë, me njohuritë e tij, me veprimtarinë dhe sjelljen e tij.
Gjatë seancave të trajnimit, të rinjtë ilustruan konceptin e shpjeguar mbi aksionin sindikal duke improvizuar një rast të tillë.
Grupi i Akademisë së Punës faktoi në këtë rast se, mënyrat e organizimit të aksionit sindikal janë pafund, mjafton që ata të jenë të bashkuar dhe të kenë të qarta qëllimet që duan të arrijnë përmes tij.
Ky është kursi i parë i vitit të parë të Akademisë.
Të 15 pjesemarrësit janë duke u trajnuar për të fituar njohuri dhe shprehi që do t’i ndihmojnë në botën e punës.
Mes të trajnuarve janë përfaqësues të Sindikatës së Re të Naftëtarëve të Shqipërisë, të Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Shëndetësisë së Shqipërisë, Sindikata e Pavarur e Poste-Telekomit të Shqipërisë , Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Në kursin e parë të Akademisë marrin pjesë dhe përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile që punojnë në fushën e të drejtave në punë.