• info@clr.al
  • +355 69 470 2057

Puna “part-time” dhe benefitet e saj!

Puna “part-time” dhe benefitet e saj!

Nga raporte të ndryshme që publikohen nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare të ekonomisë si FMN ,Banka Botërore dhe organizata të ndryshme  ndërkombëtare  për ekonominë e shteteve të Evropës dhe më gjerë, vendi ynë renditet ndër shtetet me të ardhura më të ulëta për frymë.  Shqipëria ka treguar se nga viti në vit krahasuar me vendet e rajonit ka një progres më të lartë në uljen e papunësisë dhe në rritjen e të ardhurave për frymë.  Aktualisht sapo ka mbaruar sezoni turistik dhe mund të themi se ky sezon ishte më i mirë se i mëparshmi, ku mbi 6 milion turistë zbuluan bukuritë natyrore të Shqipërisë. Sezoni turistik ka një progresion shumë aktiv për punësimin sezonal pasi, mijëra të rinj por edhe njerëz të tjerë pa punë kanë mundur të sigurojnë një aktivitet fitimprurës dhe kanë pasur rastin të provojnë njohuritë e tyre këtë sezon. Këto vende pune kryesisht janë për një grupmoshë 18-35 vjeç por nuk përjashtohen  edhe  ata që e duan punën dhe kanë nevojë për një të tillë. Disa nga profesionet e ofruara janë: kamerier, menaxher, kopshtar, kuzhinier,recepsionist, guide, shofer, roje bregdetare  etj. Të gjitha këto profesione janë për një afat të shkurtër 3-4 mujore por që mund të themi se kanë pagesa të mira duke nisur shumë me lartë se paga minimale pra, nga 30.000-150.000 leke. Impakti i rritjes së ekonomisë por edhe i uljes së papunësisë është publikuar nga INSTAT  pak ditë më parë.  Në tremujorin e dytë  të vitit 2018, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 59,2 %. Gjatë këtij tremujori numri i të punësuarve u rrit me 3,3 %, krahasuar me një vit më parë. Në terma tremujorë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018, punësimi pësoi një rritje prej 0,1 %.

Avantazhet e një pune part-time:

Puna e pjesshme nuk është e varur vetëm nga sektori i turizmit por gjatë gjithë vitit ka oferta pune nga më të ndryshmet “recepsion, shitës, shpërndarës, promocion, hoteleri, kuzhine etj”. Te gjitha ata që zgjedhin të punojnë part –time kanë disa avantazhe të cilat zor se i hasni në punë që të duhet të impenjohesh me kohë të plotë.

Në një punë part time mund të përfitoni në aspektin monetar por edhe krijoni një eksperiencë  të re pune që më pas kthehet në një “armë” më shumë në  cv-në tuaj. Një tjetër avantazh i punës part- time është edhe shërbimi i saj si një trampolinë për të kaluar në një vend punë me kohë të plotë. Nëse ti e bind për aftësitë e tua punëdhënësin tënd atëherë ai me siguri do t’ju bej gati një kontratë me kohë të plotë pasi, njihet me njohuritë që ti ke treguar në punën e mëparshme.

Gjithashtu një tjetër avantazh i punëve part- time është  se ato nuk kalojnë në sitën e tatimeve pasi për efekt të orëve të reduktuara  presupozohet  që edhe pagat të mos jenë shumë të larta. Kjo thuhet qartë edhe sipas   ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar,  në nenin 9, “Tarifa Tatimore, përcaktohet se pagat dhe shpërblimet  në lidhje me marrëdhënien e punës aktuale do te tatohen sipas tarifave të përshkruara në pasqyrën nr.1 “Tatimi nga të ardhurat nga punësimi”.

PagaTatimi
0-30,0000
30,001-130,00013% të shumës mbi 30 mijë lek
130,001130,000 lek +23% të shumës mbi 130,00 lek.

Prej disa vitesh në Shqipëri për një sërë profesionesh nuk lejohet me rregullore të brendshme dypunësimi . Kur bëhet fjalë për punët me kohë të pjesshme, ligji ka tolerime. Gjithmonë kur puna e pjesshme nuk ndikon në ecurinë e punës me kohë të plote për të shmangur kështu konkurrencën e pandershme dhe aspektin moral të marrëdhënies punëdhënës-punëtor.

Edhe pse një individ zgjedh të bëj një punë part-time, kjo gjë nuk e pengon atë që brenda kompanisë me më shumë së një punëtor ai të gëzojë të drejta të njëjta me ata që janë me kohë të plotë. Kjo e drejtë garantohet edhe nga  ligji nr. 7961, datë 12.07.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”,  Puna me kohë të pjesshme , neni 14 i ndryshuar , pika nr.2. Punëmarrësit me kohë të pjesshme gëzojnë të njëjtat të drejta si punëmarrësit me kohë të plotë që kryejnë të njëjtën punë. Nëse kushtet e punësimit kanë lidhje të drejtpërdrejtë me kohën e punës së punëmarrësit, punëmarrësi me kohë të pjesshme gëzon të drejta përpjesëtimore me punëmarrësit me kohë të plotë.”

Një tjetër element mjaft i rëndësishëm që duhet marrë parasysh në kontratën e punëve me kohë të pjesshme është edhe e drejta e punëkërkuesit që të  anëtarësohet në sindikatën e profesionit përkatës  për të kërkuar më shumë të drejta por edhe për ta mbrojtur atë nga abuzime të ndryshme nga punëdhënësi i tij. Kjo e drejtë është e shkruar qartë në Kodin e Punës në nenin 10 – Liria sindikale. Bisedimet kolektive.

  1. Liria sindikale mbrohet me ligj.
  2. Askush nuk ka të drejtë: a. të kushtëzojë punësimin e punëmarrësit nëse ai është ose jo ose pushon së qenuri anëtari i një sindikate të krijuar në bazë të ligjit;
  3. të pushojë ose cenojë të drejtën e punëmarrësit për shkak të anëtarësimit ose jo në një sindikatë të krijuar në bazë të ligjit ose të pjesëmarrjes në veprimtari sindikale duke respektuar legjislacionin në fuqi.

Të gjithë ata individë që nuk punojnë deri në një farë moshe nuk gëzojnë të drejtën e  trajtimit shëndetësor falas pasi nuk kane derdhur para në fondin e sigurimeve për ta përfituar këtë te drejte. Individët që lidhin një kontratë pune me kohë të pjesshme, automatikisht  u mundësohet përfitimi i përfshirjes në skemën e sigurimeve shoqërore duke përfituar tek të gjitha shërbimet shëndetësore falas.

PagaTatimi
0-30,0000
30,001-130,00013% të shumës mbi 30 mijë lek
130,001130,000 lek +23% të shumës mbi 130,00 lek.

Disavantazhet e punës part- time:

Punët part -time qe gjenden sot nëpër portale, ne gazeta, ne zyrat e punës së shtetit apo edhe duke kërkuar pranë zyrës së burimeve njerëzore  në institucione të ndryshme janë kryesisht profesione të cilat nuk kërkojnë ndonjë eksperiencë të madhe në atë sektor.

Ata që kanë përparësi për një vend të tillë  janë gjithmonë moshat e reja kryesisht studentet të cilët veç shkollës ju duhet  të punojnë me orare të reduktuara për të plotësuar disa nevoja personale e duke u përgatitur edhe për tregun e punës.

Në shumicën e rasteve këto vende pune bazohen vetëm në  një fjalë goje pa një kontratë e cila do e mbronte punëtorin nga punëdhënësi i tij në rast abuzimi të formave të ndryshme. Ky pakt gojor mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, e zhvesh punëtorin nga disa të drejta themelore përveç se është krim financiar i shkaktuar në bashkëpunim. Inspektorati i punës e ka shumë të vështirë të zbulojë këtë lloji krimi pasi nuk ka shumë gjurmë që mbledhin provat e duhura për të dënuar punëdhënësin që shmang taksat dhe abuzon me punonjësit. Rastet e veçanta janë ato të flagrancës si dhe denoncimi i punonjësit për abuzimin që i bëhet nga ku më pas dënohet punëmarrësi me masë gjobe mjaft të rendë.

Një tjetër disavantazh  është edhe fakti se punonjësit që kanë bërë më shumë se 2-3 punë part time, konsiderohen nga rekrutuesit e kompanive si persona të paqëndrueshëm dhe që nuk mund të investohet gjatë tek ata. Ky fakt merret parasysh kryesisht në kompanitë e mëdha  me strategji afatgjatë për punonjësit që kanë në kompaninë e tyre.

Një tjetër element mungues në këtë fushë por jo vetëm, janë format e vazhdueshme të sensibilizimit që të nxisin punëtorët për të mos toleruar abuzime nga punëdhënësit. Këtë gjë duhet ta bëjnë të gjithë faktorët që kanë ndikim direkt dhe indirekt “Avokati i Popullit, Sindikata e Punës, Inspektorati i Punës, media, shoqëria civile etj” dhe të përcaktuar nga kodi i punës së Republikës së Shqipërisë. Sa më shumë që punëtori shqiptar  njeh të drejtat e tij dhe rrugën për të shkuar tek ajo aq më shumë fuqi do te këtë. Njëkohësisht krijon një impakt të drejtpërdrejte luftues kundër informalitetit në tregun e punës dhe evazionit fiskal në Shqipëri  .

Keni hasur probleme në vendin e punës?

Keni hasur probleme në vendin e punës?