CLR https://clr.al Center for Labour Rights Wed, 08 Apr 2026 08:34:59 +0000 en-US hourly 1 https://wordpress.org/?v=6.9.4 https://i0.wp.com/clr.al/wp-content/uploads/2022/10/cropped-g-01.png?fit=32%2C32&ssl=1 CLR https://clr.al 32 32 230692690 ANALIZË/ Pagat indikative sipas profesioneve: midis drejtësisë sociale dhe rrezikut të abuzimit administrativ https://clr.al/analize-pagat-indikative-sipas-profesioneve-midis-drejtesise-sociale-dhe-rrezikut-te-abuzimit-administrativ/ Wed, 08 Apr 2026 08:34:59 +0000 https://clr.al/?p=14620 Zbatimi i pagave indikative sipas profesioneve nga administrata tatimore në Shqipëri përfaqëson një zhvillim me potencial të rëndësishëm për mbrojtjen e punonjësve dhe formalizimin e tregut të punës. Megjithatë, krahas përfitimeve të dukshme, kjo politikë mbart edhe rreziqe reale që lidhen me mënyrën e zbatimit të saj, veçanërisht në një kontekst ku besimi ndaj administratës publike, ne rastin me te mire, mbetet i brishtë.

Në thelb, pagat indikative krijojnë një standard reference që ndihmon në identifikimin e nën-deklarimit të pagave dhe abuzimeve ndaj punonjësve. Prej vitesh me radhë, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve në Shqipëri vazhdojne te përballen me deklarim fiktiv të pagave, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në të drejtat e tyre sociale dhe ekonomike. Në këtë kuptim, kjo politikë përfaqëson një hap pozitiv drejt transparencës dhe drejtësisë në marrëdhëniet e punës.

Megjithatë, problemi nuk qëndron te koncepti, por te zbatimi. Nëse administrata tatimore e përdor këtë instrument në mënyrë selektive ose arbitrare, atëherë pagat indikative rrezikojnë të kthehen nga një mjet mbrojtjeje në një burim presioni dhe abuzimi. Në një realitet ku perceptimi për korrupsion administrativ është i pranishëm, ekziston rreziku që kontrollet të mos bazohen vetëm në analiza objektive të riskut, por edhe në interesa të tjera jo transparente.

Ky rrezik shfaqet në disa forma konkrete. Së pari, bizneset mund të përballen me kontrolle të padrejta ose të përsëritura nëse nuk përputhen me pagat indikative, edhe kur kanë arsye të ligjshme ekonomike. Së dyti, hapet mundësia për presion informal nga inspektorët, duke përdorur “devijimin nga paga indikative” si justifikim për ndërhyrje. Së treti, krijohet një klimë pasigurie që mund të ndikojë negativisht edhe tek vetë punonjësit, përmes rrezikut të reduktimit të vendeve të punës apo informalitetit të ri.

Pikërisht për këtë arsye, roli i vet punonjesve apo sindikatave qe perfaqesojne interesat e tyre bëhet vendimtar. Sindikatat nuk duhet të jenë vetëm spektatore të kësaj politike, por edhe garantuese të përdorimit të saj të drejtë. Ato mund të luajnë një rol aktiv në disa drejtime.

Së pari, sindikatat mund të monitorojnë zbatimin në terren, duke mbledhur raste konkrete nga punonjësit dhe duke evidentuar abuzimet e mundshme nga administrata apo punëdhënësit. Së dyti, ato mund të ofrojnë mbështetje ligjore për punonjësit dhe bizneset që përballen me presion të padrejtë, duke i çuar rastet në gjykatë kur është e nevojshme. Së treti, sindikatat mund të kërkojnë transparencë më të madhe në mënyrën se si përcaktohen dhe përdoren pagat indikative, duke insistuar për kritere të qarta dhe të publikuara.

Një element kyç është edhe forcimi i dialogut social. Pagat indikative nuk duhet të mbeten një instrument i njëanshëm i administratës tatimore, por duhet të diskutohen dhe përmirësohen në bashkëpunim me sindikatat dhe përfaqësuesit e biznesit. Kjo do të ndihmonte në rritjen e besimit dhe në uljen e mundësive për abuzim.

Gjithashtu, është e rëndësishme që të vendosen mekanizma ankimi efektivë dhe të pavarur. Çdo biznes apo punonjës që ndjen se është trajtuar padrejtësisht duhet të ketë mundësi reale për të kundërshtuar vendimet e administratës pa u përballur me barriera burokratike apo presion.

Në përfundim, pagat indikative sipas profesioneve mbeten një instrument me potencial të madh për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të fuqizuar punonjësit në Shqipëri. Por suksesi i tyre varet nga një faktor vendimtar: integriteti i zbatimit. Pa transparencë, mbikëqyrje dhe rol aktiv të sindikatave, ekziston rreziku që një politikë e menduar për drejtësi sociale të devijojë në një mekanizëm presioni. Me përfshirjen aktive të aktorëve socialë dhe me kontroll transparent e demokratik, ky rrezik mund të minimizohet dhe politika mund të shërbejë realisht në interes të punonjësve.

 

 

]]>
14620
Në Konferencën e ILO: Koha për mbrotje reale të punëtorëve sezonalë në Shqipëri https://clr.al/ne-konferencen-e-ilo-koha-per-mbrotje-reale-te-punetoreve-sezonale-ne-shqiperi/ Tue, 31 Mar 2026 09:57:30 +0000 https://clr.al/?p=14599 CLR mori pjesë në takimin trepalësh të nivelit të lartë mbi mbrojtjen e punonjësve sezonalë, të organizuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), ku u konfirmua edhe një herë se kjo kategori vazhdon të mbetet ndër më të pambrojturat në tregun e punës.

Përvojat e paraqitura nga ekspertë nga Greqia, Spanja, Italia dhe Portugalia dëshmuan qartë se zgjidhjet ekzistojnë. Ajo që mungon nuk është njohuria, por vullneti politik për t’i zbatuar ato.

CLR e thekson qartë: punonjësit sezonalë nuk janë fuqi punëtore për t’u përdorur dhe hedhur sipas nevojës së tregut. Ata janë njerëz me të drejta të plota, që meritojnë siguri, dinjitet dhe mbrojtje të barabartë në punë.

Pasiguria dhe heshtja institucionale ndaj kësaj kategorie duhet të marrin fund. Çdo sezon që kalon pa ndërhyrje konkrete është një dështim i politikave publike dhe një padrejtësi sociale.

Punonjësit sezonalë kërkojnë dhe meritojnë:
• qëndrueshmëri reale në punësim,
• mbështetje financiare gjatë gjithë vitit, jo vetëm në periudhat e sezonit,
• kontrata kolektive kombëtare të detyrueshme, të zbatuara dhe të monitoruara me rigorozitet.

Ky nuk është një apel – është një kërkesë për veprim të menjëhershëm.

Zëri i punonjësve sezonalë nuk mund të injorohet më. Ai duhet të dëgjohet, të përfaqësohet dhe të kthehet në politika konkrete.

]]>
14599
Mbrojtja Sociale dhe Organizimi Sindikal: Çfarë Mund të Mësojë Shqipëria nga Modeli Suedez https://clr.al/mbrojtja-sociale-dhe-organizimi-sindikal-cfare-mund-te-mesoje-shqiperia-nga-modeli-suedez/ Mon, 30 Mar 2026 11:05:00 +0000 https://clr.al/?p=14616 Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) zhvilloi tryezën e hapur të diskutimit me temë “Nga Suedia në Shqipëri: Mbrojtja Sociale dhe Fuqizimi i Punëtorëve”, duke mbledhur së bashku sindikalistë, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave për të diskutuar mbi praktikat më të mira të modelit suedez të mirëqenies sociale.

I ftuari Z. Besim Matoshi, ndau përvojën e tij si sindikalist në Suedi dhe prezantoi mënyrën se si funksionon sistemi suedez i sindikatave, organizimi sindikal dhe roli i dialogut social në mbrojtjen e punëtorëve.

Gjatë prezantimit u shpjegua se sindikatat në Suedi janë të organizuara në mënyrë të strukturuar, me bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet organizatave të ndryshme sindikale dhe punëdhënësve. U diskutua mënyra se si negociohen kontratat kolektive, si përcaktohen pagat, orët e punës, kushtet e sigurisë, pensionet dhe mbrojtja sociale për punëtorët.

Gjithashtu u prezantua edhe përvoja e IF Metall, një prej sindikatave më të mëdha industriale në Suedi, me rreth 300,000 anëtarë. Përvoja e saj u përdor si shembull konkret për të ilustruar mënyrën se si funksionon përfaqësimi sindikal, organizimi i anëtarëve dhe negocimi i kontratave kolektive në sektorin industrial.

U theksua se sistemi suedez i mirëqenies sociale lidhet ngushtë me organizimin sindikal, duke u ofruar punëtorëve siguri më të madhe ekonomike, mbështetje në rast papunësie, sëmundjeje apo aksidenti në punë. Shumica e punëtorëve në Suedi mbulohen nga kontrata kolektive, të cilat luajnë një rol kyç në garantimin e standardeve të larta të punës dhe mbrojtjes sociale.

Diskutimi u fokusua në mësimet që mund të përshtaten në Shqipëri, veçanërisht në drejtim të forcimit të mbrojtjes sociale, rritjes së rolit të sindikatave dhe avancimit të kushteve të punës për punëtorët shqiptarë.

]]>
14616
“Smart Trade Unions” – Trajnim për përfshirjen aktive të sindikatave në proceset reformuese https://clr.al/smart-trade-unions-trajnim-per-perfshirjen-aktive-te-sindikatave-ne-proceset-reformuese/ Wed, 25 Feb 2026 13:06:44 +0000 https://clr.al/?p=14589 Qendra për të Drejtat në Punë (CLR), në kuadër të projektit “Smart Trade Unions”, mbështetur nga Swedish Institute dhe zbatuar nga ABF Västerås në partneritet me CLR, organizoi më 25 shkurt 2026 një trajnim të posaçëm me përfaqësues të sindikatave nga sektorë të ndryshëm të shërbimeve publike në nivel vendor. Trajnimi u fokusua në qasjen që duhet të kenë sindikatat në nivel rajonal dhe vendor ndaj procesit të integrimit evropian, si një proces me ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e punës dhe në standardet e mbrojtjes së punëtorëve.

Në kushtet kur punonjësit e administratës dhe shërbimeve publike në nivel vendor mbajnë peshën kryesore të zbatimit të legjislacionit që buron nga procesi i integrimit, roli i tyre bëhet thelbësor për garantimin e standardeve evropiane në praktikë. Megjithatë, në shumë raste, informacioni dhe njohuritë lidhur me procesin e integrimit evropian, acquis communautaire dhe legjislacionin e punës mbeten minimale ose mungojnë tërësisht. Kjo situatë krijon sfida serioze si në përfaqësimin sindikal, ashtu edhe në mbrojtjen efektive të të drejtave të punëtorëve në nivel lokal.

Trajnimi trajtoi në mënyrë të detajuar disa shtylla kryesore:

  • Qasjen e përfaqësuesve sindikalë në nivel vendor në diskutimet periodike për pagat dhe kushtet e punës, duke theksuar nevojën për argumentim të bazuar në standardet evropiane dhe në praktikat më të mira të dialogut social;
  • Përfshirjen aktive të sindikatave në ngritjen dhe funksionalizimin e strukturave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë, si mekanizma të domosdoshëm për parandalimin e rreziqeve dhe garantimin e kushteve të denja të punës;
  • Angazhimin më të strukturuar të sindikatave në procesin e zbatimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian në nivel vendor, një proces që tashmë ka filluar dhe që kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve publike dhe partnerëve socialë.

Përmes diskutimeve interaktive, analizave të rasteve konkrete dhe shkëmbimit të përvojave mes sindikatave nga sektorë të ndryshëm, pjesëmarrësit patën mundësi të identifikojnë sfidat kryesore në terren dhe të hartojnë rekomandime praktike për forcimin e rolit të tyre në nivel lokal dhe rajonal.

Ky trajnim synoi fuqizimin e sindikatave si partnerë të rëndësishëm në dialogun social dhe në proceset reformuese që lidhen me integrimin evropian. Duke rritur kapacitetet e tyre për analizë, advokim dhe pjesëmarrje aktive, CLR dhe partnerët e saj kontribuojnë në ndërtimin e një lëvizjeje sindikale më të informuar, më të strukturuar dhe më të përgatitur për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në kuadër të standardeve evropiane.

]]>
14589
Vlerësimi i Mekanizmave të Dialogut Social dhe Vendimmarrjes në Fushën e të Drejtave të Punës në Procesin e Anëtarësimit në BE https://clr.al/vleresimi-i-mekanizmave-te-dialogut-social-dhe-vendimmarrjes-ne-fushen-e-te-drejtave-te-punes-ne-procesin-e-anetaresimit-ne-be/ Tue, 24 Feb 2026 12:42:52 +0000 https://clr.al/?p=14578 Më 24 shkurt 2026, në vijim të takimeve dhe konsultimeve të zhvilluara nga Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) gjatë vizitës studimore në Bruksel, u organizua në Tiranë një tryezë e zgjeruar diskutimi me përfaqësuesen e Bashkimi Evropian nga Drejtoria e Përgjithshme për Punësim, Çështje Sociale dhe Përfshirje (DG EMPL), e ardhur posaçërisht nga Brukseli për këtë takim me partnerët socialë në Shqipëri.

Kjo tryezë u konceptua si një hap konkret për të sjellë më afër dialogun ndërmjet institucioneve evropiane dhe sindikatave shqiptare, duke krijuar një hapësirë të drejtpërdrejtë shkëmbimi mbi sfidat, prioritetet dhe reformat e nevojshme në tregun e punës.

Në takim morën pjesë konfederata dhe sindikata nga sektorë të ndryshëm, përfshirë të gjithë partnerët kryesorë të projektit “Smart Trade Unions”. Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që përfshiheshin në një diskutim të këtij niveli dhe formati me përfaqësues të institucioneve të BE-së, duke shënuar një moment të rëndësishëm për fuqizimin e rolit të tyre në dialogun social dhe në proceset e integrimit evropian.

Diskutimet u përqendruan në disa çështje thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit:

  • Shkalla e përfshirjes së sindikatave në politikëbërje, veçanërisht në hartimin e politikave ekonomike dhe sociale që ndikojnë drejtpërdrejt në tregun e punës;
  • Zhvillimi i qëndrueshëm dhe lufta kundër informalitetit, si sfida kyçe për garantimin e të drejtave të punëtorëve dhe rritjen e të ardhurave publike;
  • Roli i sindikatave në negociatat kolektive dhe në proceset e rritjes së pagave, duke theksuar nevojën për strategji të mirëstrukturuara dhe dialog efektiv me qeverinë dhe punëdhënësit;
  • Kontrolli dhe monitorimi i sipërmarrjeve, në mënyrë që të garantohet zbatimi i legjislacionit të punës pa dëmtuar klimën e biznesit dhe konkurrueshmërinë;
  • Formalizimi i ekonomisë dhe zgjerimi i skemave të mbrojtjes sociale, si instrumente për uljen e pabarazive dhe për rritjen e sigurisë ekonomike të punëtorëve;
  • Zhvillimi i aftësive të së ardhmes, përmes investimeve në trajnim, arsim profesional dhe ndërtimin e institucioneve të forta, transparente dhe funksionale.

Tryeza shërbeu gjithashtu si një platformë për të reflektuar mbi praktikat evropiane dhe mbi mënyrën se si standardet dhe politikat e BE-së mund të përafrohen më tej me realitetin shqiptar. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të partnerëve socialë dhe të institucionalizimit të dialogut social si pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të CLR për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet sindikatave shqiptare dhe institucioneve evropiane, si dhe me mbështetjen dhe bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Swedish Institute dhe ABF Västerås.

Në këtë kuadër, bashkëpunimi me strukturat sindikale kombëtare, përfshirë Shtëpinë e Punëtorëve në Shqipëri, mbetet thelbësor për forcimin e zërit të punëtorëve dhe për ndërtimin e një dialogu social të qëndrueshëm, në përputhje me standardet e Bashkimi Evropian dhe prioritetet e procesit të integrimit.

]]>
14578
Forum Diskutimi “Punë e Denjë për Punonjësit e OShC-ve” https://clr.al/forum-diskutimi-pune-e-denje-per-punonjesit-e-oshc-ve/ Thu, 22 Jan 2026 11:47:17 +0000 https://clr.al/?p=14571
Rrjeti i Profesionistëve të Rinj (YPN), së bashku me Qendrën për të Drejtat në Punë (CLR) dhe me mbështetjen e Olof Palme International Center, zhvilloi dje Forumin e Diskutimit “Punë e Denjë për Punonjësit e OShC-ve”. Diskutimet u fokusuan në sfidat kryesore të punësimit në sektorin e shoqërisë civile, nevojën për garantimin e punës së denjë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për përmirësimin e kushteve të punës. Në fjalën hapëse u theksua rëndësia e adresimit të kësaj çështjeje si një element kyç për qëndrueshmërinë dhe profesionalizimin e sektorit të shoqërisë civile.
Gjatë prezantimit të dokumentit të politikave, ekspertja Inva Çela ndau arsyet pse kjo çështje është urgjente, si dhe gjetjet kryesore të nxjerra nga të dhënat e mbledhura, ndërsa Edison Hoxha nga CLR prezantoi rekomandimet e dokumentit të politikave drejtuar qeverisë, donatorëve dhe vetë shoqërisë civile. Paneli i Diskutimit “Kushtet e Punës në Sektorin e Shoqërisë Civile në Shqipëri” solli së bashku përfaqësues nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile dhe organizata të shoqërisë 🤝 civile.
Paneli krijoi një hapësirë të hapur dialogu mes institucioneve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ku u ndanë perspektiva të ndryshme mbi sfidat aktuale të punësimit në sektor, rolin e institucioneve në garantimin e të drejtave të punës dhe nevojën për politika më mbështetëse e praktika më të drejta. Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, dialogut të vazhdueshëm me shoqërinë civile dhe ndërtimit të mekanizmave që garantojnë kushte pune të denja. Ky forum shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të dialogut e advokimit për politika dhe praktika që garantojnë punë të denjë e të qëndrueshme për punonjësit e shoqërisë civile.
]]>
14571
Konferenca Rajonale mbi Ekonominë, Demokracinë dhe Kohezionin Rajonal në Ballkanin Perëndimor https://clr.al/konferenca-rajonale-mbi-ekonomine-demokracine-dhe-kohezionin-rajonal-ne-ballkanin-perendimor/ Mon, 15 Dec 2025 11:29:34 +0000 https://clr.al/?p=14558 Me ftesë të Foundation Qemal Stafa, përfaqësues të Qendrës për të Drejtat në Punë CLR morën pjesë në panelin e diskutimeve gjatë Konferencës Rajonale mbi Ekonominë, Demokracinë dhe Kohezionin Rajonal në Ballkanin Perëndimor, aktivitet që mblodhi ekspertë, studiues, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktorë politikë nga rajoni. Ky aktivitet ofroi një platformë të veçantë për shkëmbimin e ideve, diskutimin e praktikave më të mira dhe krijimin e rrjeteve bashkëpunimi për zhvillim të qëndrueshëm dhe demokraci aktive në rajon.

Gjatë ndërhyrjes sonë në panel, ndamë situatën aktuale në Shqipëri, duke theksuar sfidat e vazhdueshme të dialogut social, rëndësinë e punës së denjë, të drejtën e përfaqësimit të punëtorëve, si dhe nevojën për mekanizma të besueshëm që garantojnë angazhim, përfshirje, drejtësi sociale dhe demokraci të qëndrueshme. Çështjet që ngritëm u pritën me interes nga pjesëmarrësit dhe u pasuan nga një bashkëbisedim i hapur dhe i sinqertë, ku u ndanë përvoja dhe perspektiva të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit rajonal.

Një sesion i veçantë iu kushtua rëndësisë së bashkëpunimit rajonal midis think tank-eve progresive dhe organizatave të shoqërisë civile, duke e theksuar rolin e tyre në ndikimin e politikave publike dhe fuqizimin e qytetarëve. Në këtë kontekst, patëm mundësinë të prezantojmë gjetjet dhe rekomandimet e policy paper-it të përgatitur në vitin 2025 mbi “Bashkëpunimin mes sindikatave dhe forcave politike progresiste”, një projekt që u realizua bashkë me organizatën partnere Centre for Modern Skills. Ky dokument ofron analiza të detajuara dhe sugjerime konkrete për mënyra se si sindikatat dhe partitë politike progresive mund të bashkëpunojnë në mënyrë efektive për të fuqizuar të drejtat e punëtorëve dhe ndikimin social.

Konferenca gjithashtu nxori në pah rëndësinë e dialogut ndërkombëtar dhe të bashkëpunimit rajonal për forcimin e demokracisë dhe kohezionit ekonomik, duke treguar se sfidat e përbashkëta mund të adresohen më mirë përmes ndarjes së eksperiencave dhe praktikave të suksesshme. Pjesëmarrja jonë shërbeu për të prezantuar eksperiencën shqiptare dhe për të kontribuar në ndërtimin e një vizioni të përbashkët për rajonin.

Falenderojmë Kalevi Sorsa Foundation dhe Progres Institute for Social Democracy për mbështetjen dhe konsideratën e propozimit tonë, si dhe për mundësinë për të ndikuar në një dialog konstruktiv dhe me rëndësi rajonale.

Ky aktivitet përforcon angazhimin tonë për të kontribuar në zhvillimin e politikave që promovojnë drejtësi sociale, punë të denjë dhe një dialog të qëndrueshëm midis aktorëve politikë dhe shoqërisë civile në Shqipëri dhe rajon.

]]>
14558
Forumi i “Sindikatave dhe Partive Politike” https://clr.al/forumi-i-sindikatave-dhe-partitive-politike/ Tue, 04 Nov 2025 10:15:03 +0000 https://clr.al/?p=14487 Qendra për të Drejtat në Punë CLR zhvilloi me sukses forumin “Sindikatat dhe Partitë Politike”, një aktivitet që solli në një tryezë të vetme zëra të rëndësishëm nga sindikatat, partitë politike, akademia dhe organizatat partnere nga rajoni. Ky takim u shndërrua në një hap domethënës drejt forcimit të dialogut midis botës së punës dhe asaj të politikës, duke nxitur një diskutim të thelluar mbi mënyrat se si këto dy aktorë mund të ndërveprojnë në mënyrë të pavarur, por njëkohësisht bashkëpunuese, për të ndërtuar politika më të drejta e përfshirëse për punëtorët dhe shoqërinë në tërësi.

Në thelb të forumit qëndroi një mesazh i qartë: bashkëpunimi midis sindikatave dhe partive politike nuk është luks, por domosdoshmëri për të sjellë ndryshim real dhe afatgjatë. Në një periudhë kur sfidat sociale dhe ekonomike po bëhen gjithnjë e më komplekse, roli i sindikatave si zë i punonjësve dhe i partive politike si mbartëse të vullnetit qytetar është thelbësor për ndërtimin e demokracive funksionale e të barabarta.

Diskutimet gjatë forumit nxorën në pah faktin se, ndonëse autonomia e secilës palë është thelbësore, bashkërendimi i përpjekjeve mund të sjellë rezultate konkrete në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve, përmirësimin e kushteve të punës dhe zhvillimin e politikave ekonomike dhe sociale më të denja. Përfaqësues të sindikatave ndanë përvoja mbi mënyrat se si një dialog i hapur me partitë politike ka ndihmuar në avancimin e të drejtave të punëtorëve, ndërsa aktorët politikë reflektuan mbi rëndësinë e përfshirjes së sindikatave në proceset e vendimmarrjes.

Ky forum u organizua në kuadër të projektit rajonal “Sfidat dhe Mundësitë / Sindikata dhe Politika”, me mbështetjen e Fondacionit Finlandez Kalevi Sorsa dhe Progress Institute për Social Democracy në Maqedoninë e Veriut, si dhe organizatës partnere në Serbi, Centre for Modern Skills. Ky bashkëpunim ndërkombëtar tregoi se tematika e marrëdhënies midis punonjësve, sindikatave dhe partive politike ka rëndësi strategjike për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku zhvillimi demokratik dhe social kërkon një angazhim të përbashkët e të qëndrueshëm.

Në përfundim, forumi u cilësua si një platformë e vyer për ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis sindikatave dhe politikës, një hap drejt forcimit të demokracisë sociale dhe të drejtësisë ekonomike. Ai dëshmoi se përballë sfidave të kohës nga pasiguria në tregun e punës te pabarazitë në shpërndarjen e të ardhurave vetëm përmes një dialogu të sinqertë dhe bashkëveprimi konstruktiv mund të ndërtohet një e ardhme më e drejtë për punëtorët dhe shoqërinë në tërësi.

]]>
14487
Ndikimi në Politikë dhe Vendimmarrje përmes Fushatave Advokuese – Një Armë e Fortë për Ndryshim https://clr.al/ndikimi-ne-politike-dhe-vendimmarrje-permes-fushatave-advokuese-nje-arme-e-forte-per-ndryshim/ Mon, 27 Oct 2025 11:22:21 +0000 https://clr.al/?p=14551 Nga datat 24 deri më 26 tetor 2025, u zhvillua “Shkolla Dimërore”, një aktivitet intensiv i cili solli së bashku përfaqësues të organizatave joqeveritare, aktivistë dhe profesionistë të shoqërisë civile, me mbështetjen e Olof Palme International Center dhe organizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC). Tema qendrore e këtij aktiviteti ishte rëndësia e advokimit dhe fushatave advokuese si një mjet i fuqishëm për të ndikuar në politika dhe vendimmarrje, duke e kthyer zërin e qytetarëve dhe komuniteteve në një forcë për ndryshim.

Pjesëmarrësit diskutuan dhe analizuan mënyrat se si organizatat joqeveritare mund të përdorin advokimin në mënyrë strategjike për të arritur qëllimet e tyre. U theksua se ndikimi në politikë nuk arrihet vetëm me fjalë, por kërkon planifikim të kujdesshëm, prakticitet, kreativitet dhe përkushtim të vazhdueshëm. Në një shoqëri demokratike, advokimi shërben si ura që lidh komunitetet me institucionet, duke siguruar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe të reflektohet në vendimmarrje.

Përmes fushatave advokuese, organizatat kanë mundësi të:

  • Ndikojnë në politika publike dhe legjislacion më të drejtë, duke promovuar rregulla dhe masa që mbrojnë të drejtat dhe interesat e qytetarëve;
  • Mbrojnë të drejtat e komuniteteve që përfaqësojnë, veçanërisht grupe të margjinalizuara ose vulnerabël;
  • Nxisin transparencë dhe përgjegjshmëri në vendimmarrje, duke e bërë procesin politik më të hapur dhe më të aksesueshëm;
  • Krijojnë ura bashkëpunimi mes qytetarëve, komuniteteve dhe institucioneve, duke forcuar dialogun dhe partneritetin për çështje publike.

Aktiviteti theksoi gjithashtu se ndryshimi nuk ndodh vetë, ai ndërtohet përmes zërit, vizionit dhe veprimit të qartë dhe të koordinuar. Advokimi i qëllimshëm është një mjet që, kur përdoret me strategji dhe profesionalizëm, mund të ndikojë fuqishëm në formësimin e politikave, në avancimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Mesazhi kryesor i Shkollës Dimërore: Le të advokojmë me qëllim dhe vendosmëri, për të ndikuar me forcë dhe për të ndërtuar një të ardhme ku zëri i qytetarëve ka peshë reale në vendimmarrje.

 

#Advokim #Lobim #Ndikim #Vendimmarrje #ShoqëriCivile #OJF #NdryshimPozitiv #Aktivizëm #FushataAdvokuese #OlofPalmeInternationalCenter #Palmecenter

]]>
14551
Fuqizimi i zërit të aktorëve social dhe sindikatave shqiptare në Bruksel https://clr.al/fuqizimi-i-zerit-te-aktoreve-social-dhe-sindikatave-shqiptare-ne-bruksel/ Fri, 17 Oct 2025 14:44:42 +0000 https://clr.al/?p=14467 Në datat 14–16 tetor, një delegacion i përbërë nga përfaqësues nga Qendra për të Drejtat në Punë (Centre for Labour Rights CLR), ABF Västerås, sindikalistë dhe aktivistë politikë nga Shqipëria zhvilluan një vizitë studimore në Bruksel, ku vizituan institucionet kryesore të Bashkimit Europian dhe organizata të rëndësishme si DG Employment, FEPS, SOLIDAR, EZA, IndustriAll Europe dhe EPSU.

Kjo vizitë u realizua në kuadër të projektit “Smart Trade Unions in Albania”, me mbështetjen e Swedish Institute, dhe kishte për qëllim forcimin e përfshirjes së aktorëve social dhe sindikatave shqiptare në procesin e integrimit europian të vendit.

Gjatë vizitës u prezantua edhe dokumenti politik “Enhancing Union Inclusion in Albania’s EU Integration Processes”, i cili synon të theksojë rolin më të fuqishëm të sindikatave jo vetëm në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit, por edhe në procesin strategjik të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ky takim shënoi vetëm hapin e parë të një dialogu të ri kombëtar dhe ndërkombëtar për drejtësi sociale dhe të drejta të punëtorëve, një iniciativë që CLR e ka nisur me përkushtim dhe vizion për një Shqipëri më të përfshirë dhe të fuqishme në arenën europiane.

]]>
14467